Leonard Bombaj tërheq padinë për shpifje ndaj Enxhit


Regjisori Leonard Bombaj tërhiqet nga padia për fyerje dhe shpifje kundër modeles Enxhi Kamenica. Dy ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka pushuar gjykimin penal ku e pandehur ishte 23-vjeçarja Kamenica. Ajo u padit nga regjisori në janar të këtij viti për shkak të disa deklaratave publike në programin televiziv “Zonë e lirë”. Në këtë program, Kamenica e etiketoi regjisorin si “pedofil” dhe “përdhunues”.

Lajmi mbi pushimin e gjykimit u konfirmua nga burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës. “Gjykata vendosi pushimin e gjykimit të çështjes penale nr.1162 akti, datë 26.01.2012”, thuhej në dispozitivin e vendimit të shpallur nga gjyqtarja Ardiana Bera. Burime të Gjykatës sqaruan se shkak për pushimin e gjykimit në seancën e katërt të tij, u bë një kërkesë e vetë regjisorit Bombaj, i cili ka hequr dorë nga ankimi, pasi i ka normalizuar marrëdhëniet me të pandehurën Enxhi Kamenica. Kërkesa në fjalë është pranuar nga Gjykata, që vendosi më pas pushimin e gjykimit.


Enxhi Kamenica, vajza e bërë e njohur për publikun nga pjesëmarrja e saj në një nga edicionet e programit “Big Brother Albania”, u mor si e pandehur më 6 prill të këtij viti. Ajo akuzohej nga Prokuroria për “fyerje” dhe “shpifje”. Më herët, një padi civile në emër të saj u depozitua nga ana e regjisorit Leonard Bombaj në Gjykatën e Tiranës. Në padi, regjisori kërkonte dëmshpërblim me 10 milionë lekë të vjetër nga ana e modeles Kamenica. Në thelb, padia kishte frazat e shqiptuara nga modelja në emisionin “Zonë e lirë” të gazetarit Arjan Çani, mbrëmjen e 21 tetorit 2011.

Në këtë emision, Kamenicës iu kërkua nga Çani një opinion mbi konfliktin që Bombaj ka pasur me reperin Arkimed Lusha, i njohur si “Stresi”. Mes përgjigjeve të modeles, regjisori është etiketuar si “pedofil” dhe “për-dhunues”. Në padi, Bombaj pretendonte se nga thëniet e Kamenicës ishte cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë familja e tij, përfshi djalin e mitur, si edhe nënën 70-vjeçare. Njëkohësisht, thëniet e modeles i kishin anuluar oferta profesionale, një nga të cilat edhe ajo e një kompanie celulare që do ta përdorte zërin e tij në spotet publicitare.

Arsyeja
“Strumbullari” i deklaratave të modeles Enxhi Kamenica drejt regjisorit Leonard Bombaj ishte skandali në të cilin u përfshi ky i fundit në vitin 2010. Ai u denoncua në polici nga një prej ish-nxënëseve të tij për akuzën e “dhunës seksuale”. Njëkohësisht Bombaj kallëzoi katër persona, mes të cilëve edhe reperin “Stresi” për gjobë vënie. Më pas, Prokuroria e pushoi këtë akuzë ndaj regjisorit.
Share on :
 
Copyright © 2015. Albania Skandal.
Design by Herdiansyah Hamzah. Published by Themes Paper. Powered by Blogger.
Creative Commons License