Ermali dhe Françeska: Të vërtetat e historive tona jashtë BB5


Të dy simpatikë dhe në harmoni me njëri-tjetrin. Ermali dhe Françeska vijnë në këtë rrëfim të gjatë për të folur për dashurinë e tyre. Ajo nisi si një lojë brenda shtëpisë, por tani jashtë saj të dy janë të sigurt në ndjenjën e tyre. Është një nga historitë e shumta të dashurive që lindin në shtëpinë e “Vëllait të Madh”, secila me diferencat e saj. Ermali dhe Françeska janë komentuar gjatë, e me siguri do të vazhdojnë të komentohen edhe pas daljes nga ky shou. Sekretet e lidhjes së tyre, gjërat që pëlqejnë dhe urrejnë tek njëri-tjetri por edhe të vërtetat e lidhjeve jashtë të shumëkomentuara, çifti simpatik i tregon në këtë intervistë për suplementin “Mapomania”.

Historia juaj e dashurisë ka nisur brenda një shou si BB5. A ishte lidhja synim për të ndenjur në lojë, apo diçka që ndodh aty brenda?


Ermali: Lidhja ime me Françeskën në “Big Brother” ka qenë një lidhje spontane. Në fillim kur shihja afrimitetin e Françeskës isha pak dyshues dhe skeptik, sepse në një format të tillë mund të jetë një lloj strategjie nga ana e çdo personi për të pasur një jetëgjatësi në lojë. Mund të bënim një lojë të dy dhe të dilnim shumë keq. Prita derisa erdhi koha që unë ta hiqja këtë mendim dyshues dhe ta pëlqeja e simpatizoja Françeskën. Gjatë gjithë qëndrimit e kemi shfaqur që si çift secili do të identifikohet në mënyrën e vet dhe asnjëri nuk donim që të na etiketonin si çift, që luftonim dyshe. Kam dashur me ngulm që t’i them Françeskës që secili të shfaqë veten e tij. Të dy të ecnim sa e meritonim dhe jo duke përfituar nga fakti që ishim bashkë.

Françeska: Ermal i the të gjitha (qesh). Normalisht nëse mund të vije re diçka tek lidhja jonë ishte ajo që ishim ndryshe nga çiftet e tjera. Të gjithë e kanë bërë lidhjen e tyre për të qenë brenda në lojë dhe për të rezistuar sa më shumë, por ne të dy kemi qenë të kundërt si në lojën tonë ashtu dhe në mendime. Kjo gjë ka sjellë edhe debate në situata të ndryshme.

A e nisët në fakt si lojë këtë gjë të dy?

Françeska: Po, ishte si lojë….

Ermali: Ishte si lojë për një banor aty, kurse pëlqimi që ajo  ka pasur ndaj meje ka ekzistuar, pavarësisht se unë nuk e pranoja në fillim.

Françeska: Unë e pëlqeja Ermalin qysh më parë, pasi e njihja edhe pse jo personalisht. Në shtëpi më tërhoqi indiferenca e tij. Pastaj filloi për të bërë një lojë me banorët, pasi të gjithë ata donin që ne të bëheshim çift dhe ne filluam t’u bënim qejfin. Më vonë Ermali ra pre e imja (qesh).

Ermali: Unë rashë pre e Françeskës, por pastaj fillova ta stërvitja (qeshin).

Sa besim keni tek ajo që ju keni për njëri-tjetrin, duke parë se shumë çifte të lidhur brenda janë ndarë shpejt?

Ermali: Nuk është çështje besimi, por ndjenje dhe respekti. Derisa trupi im dhe ndjenjat e mia të vazhdojnë të rrahin për Françeskën si anë vizive dhe mendore, do të thotë që do vazhdojmë. Kur ato ndjenja të më shuhen, normalisht “shtëpirti” (i drejtohet Françit) do ndahemi (qesh).

Françeska: Unë do përpiqem shumë që ti të mos shuhesh kurrë Ermal. Gjithsesi, siç e thashë dhe më parë, ishim më ndryshe se çiftet e tjera. Shpresoj shumë që lidhja me Ermalin të zgjasë dhe do përpiqem shumë që ta duroj Ermalin (qesh).

Përse do ta durosh?

Françeska: Ishte thjesht një batutë, sepse mirëkuptohemi.

Ermali: Vetëm zihemi pak

Françeska: Jo. E çuditshme, që kur kemi dalë jashtë nuk zihemi më. Kemi të njëjtin vrull për çdo gjë; kush e thotë fjalën i fundit, kujt i del mendimi….

Ishit xhelozë aty brenda për njëri-tjetrin?

Ermali: Xheloz jo, po kisha inat për disa gjëra që kjo mund të bënte atje për të më tërhequr vëmendjen kur e dinte shumë mirë që i thosha: nuk ma tërheq vëmendjen ashtu, por u jep përparësi të tjerëve. Kjo ishte ajo që unë mund ta quaj si një ego të mirë. Në fillim i thosha, shiko veten tënde dhe mos të bënte veprime që mund të ishin keq për mua dhe për të.

Françeska: Nuk kam qenë fare xheloze atje brenda, sepse ka pasur ngacmime brenda Ermali nga femrat, po ka qenë për lojë. Duke e marrë parasysh këtë fakt nuk kam vepruar dhe në jetën jashtë nuk është se jam xheloze. Derisa një mashkull është me mua, jam e sigurt që ai ndjen për mua. Derisa unë jam plotësimi i tij, nuk bëhem xheloze.

Françeska, përse lëkundeshe herë pas here në lidhje me Ermalin?

Nuk munda ta quaj lëkundje, ishte vetë loja që i mendoje gjërat shumë herë. Edhe n.q.s vinte diçka që nuk e prisja, të paktën të isha e përgatitur.

Ermal, ti ke pasur ndonjë lëkundje?

Jo, asnjëherë. Nuk po them që isha i sigurt, po kur unë me Françin jemi lidhur i kam thënë që ti këtu duhet të jesh vetja jotja. Unë nuk do të ta jap këtë emocion këtu sepse jam i përqendruar tek loja dhe ti aty duhet të jesh.

Tani që jeni jashtë çfarë ka ndryshuar?

Ermali: Asgjë nuk ka ndryshuar. Madje jam treguar më i sjellshëm dhe Françeska është bërë më mirëkuptuese dhe më serioze. Nuk ka qenë ajo vajza siç iu dukej në fillim të gjithëve. Ka një personalitet shumë të fortë dhe është shumë e rritur për moshën që ka. Dhe kjo më pëlqente edhe mua që të tregonte brenda, jo si 3 javët e para.

Të rrish në një shtëpi për 3 muaj, 24 orë, është një kohë e gjatë. Veç pëlqimit dhe respektit a e ndjeni që keni rënë në dashuri me njëri-tjetrin?

Ermali: Termi dashuri për mua do të thotë respekt, pëlqim…

A të rreh zemra për Françeskën, Ermal?

Ermali: Absolutisht që po. Unë e kam thënë që jam dashuruar kur ajo fle gjumë apo kur zgjohet në mëngjes. E kam deklaruar këtë.

Françeska: Unë jam zgjuar gjithmonë në “Big Brother” duke më sjellë Ermali lule, edhe pse në shumicën e rasteve ishin ferra, se nuk kishte lule. Mendoj se asnjë nuk e ka të saktë përkufizimin e fjalës dashuri. Nëse kjo gjë e bukur që ne po kalojmë quhet dashuri, atëherë po. Dashuri.

Tani që jeni jashtë si do vazhdojë lidhja juaj, pasi Françeska jeton në Vlorë?

Ermali: Unë edhe brenda i kam shprehur dëshirën Françeskës që ta kem tek shkolla ime. Do të jetë një gjë shumë e mirë që ajo të vijë në Tiranë, sepse kjo do na afrojë më shumë me njëri-tjetrin. E kam thënë disa herë që dua që Françeska të vijë tek Universiteti Europian i Tiranës.

Françeska: Unë shpresoj që kjo gjë të ndodhë dhe të jem pranë Ermalit në UET. Sa më afër, aq më mirë, por edhe nëse jemi pak larg s’ka gjë, na shtohet më shumë dashuria. Pushimet do t’i kalojmë bashkë sapo të marrim 3 milionshin.

Çfarë do të bëni?

Ermali: Mjaftojnë për pushime të mira, meqë Erjoni shoku ynë i ngushtë ka jetuar në Korfuz, na ka ofruar shoqëri të mirë në një vend të huaj ku ka bregdet të bukur dhe me kosto të arsyeshme.

Françeska: Do bëjmë pushime ekonomike.

Çfarë ju pëlqen më shumë tek njëri-tjetri?

Ermali: Më pëlqen së pari sesi duket..

Françeska: Mendoj se duhet të thotë çfarë nuk i pëlqen tek unë, sepse kjo është e vështirë (qesh).

Ermali: I kam thënë, mos ndërhy kur unë flas…

Françeska: Ndërsa mua më pëlqen çdo gjë tek Ermali. Normalisht çifti ka disa probleme të vogla, por duke pasur mirëkuptimin që ne kemi, do arrijmë t’i rregullojmë të gjitha gjërat.

Secili nga ju ka pasur eksperiencat e tij të mëparshme. Çfarë e bën të veçantë këtë që ju keni?

Ermali: Ka lindur brenda në shtëpi dhe ato tre muaj konvertohen me një vit. Ke presion më të madh nga banorët, nga kamerat dhe bëhet më e fortë si lidhje. Kjo është gjëja më e bukur mendoj unë; kur njerëzit që ta pëlqejnë atë dashuri me dikë, duhet të rrinë sa më ngjitur se në momente të caktuara ai mund të tregojë shenja vërtetësie. Ky ishte një rast shumë i mirë dhe derisa unë jam me Françeskën, edhe pse jemi të freskët si çift, do ta shihni sa do vazhdojmë të jemi të lumtur si çift në këtë shoqëri dyshuese.

Françeska: Normalisht çdo lidhje apo çdo relatë me njerëz të ndryshëm ka situatat dhe bukurinë e vet. Mund të them thjesht që vendi ku ka lindur është i veçantë, po ashtu dhe mënyra sesi e kemi përballuar. Mënyra sesi më trajton Ermali është e veçantë.

Ju tremb realiteti?

Françeska: Absolutisht jo.

Françeska, në një moment brenda ke thënë: “Ermal, kur të dalim jashtë të lutem mos më tradhto”. Ke pasur frikë?

Françeska: Normalisht duke pasur parasysh sa i mirë është i dashuri im dhe si është sjellë me mua, dihet që do e kishin zili të gjitha femrat, ndaj e thashë. Edhe pse isha e sigurt që nuk do ta bënte.

Ermali: Edhe shumë mos ji e sigurt (qesh).

Ermal, a je fanatik nisur nga komentet që i bëje brenda të dashurës tënde?

Ermali: Jo nuk jam fanatik. Kur një femër është tërheqëse nuk ke sesi t’ia mbulosh hiret e saj. I kam thënë vetëm të kishte kujdes me bluzat e saj pak të hapura…Më tepër ishte një mënyrë për t’i matur pulsin, jo për të më dëgjuar mua, por të ishte e kujdesshme për veten. Ka vajza 18-vjeçare që u pëlqen shumë vetja dhe nga kjo fillojnë ekspozohen shumë. Nuk doja që Françeska të bënte këtë gjë.

Nëse Françeska do ketë oferta si modele tani, do të të vijë keq?

Ermali: Jo, aspak. Do ta mbështes dhe nuk do më vijë fare keq, sepse atje ku do të jetë, ata e dinë që ka një të dashur. Ajo i ka mend në kokë nëse do të bëjë diçka dhe nuk është përgjegjësia ime por e saj. Nuk kam frikë, çdo gjë është në dorën e saj.

Ermal, kur je futur në shtëpi a ke pasur një lidhje jashtë?

Ermali: Unë kur kam marrë vendimin që do të shkoj në “Big Brother” aty ka pasur krisje, pasi ajo nuk ka dashur. Kur do shkoja aty brenda nuk do shkoja vetëm, normalisht do prezantohesha që kisha dikë. Mua nuk më pëlqejnë këto gjëra, që ‘mirë shko, por mua mos më përmend”. Që para dy muajve para se të niste “Big”-u i kam thënë se shihja një mospëlqim nga ana e saj, gjë e cila shkoi drejt një fundi siç mund ta quajmë.

Fundi ishte përpara se të futeshe?

Po përpara, jo kur u futa. Përpara se të futesha kishte mbaruar si lidhje.

Françeska, dua të të pyes pak për ato që ke thënë në “Big Brother”, si është e vërteta e historisë tënde në fakt?

Kanë qenë të gjitha budallallëqe. Kam dëgjuar shumë po asgjë nuk ka qenë e vërtetë.

A e keni menduar të jetoni bashkë nëse Françeska vjen në Tiranë?

Ermali: Nëse do të kishim fituar 100 milionët do jetonim bashkë. Nuk e dimë ekzakt, sepse sa kemi dalë.

Françeska: Është ende shumë herët për t’i menduar këto gjëra.



Ermali: Preferova të isha vetëm në lojë

Kur u fute në shtëpinë e “Big Brother” cili ishte synimi kryesor?

E kam sqaruar edhe gjatë programit që kam pasur 3 synime. Në fillim të përfitoja sa më shumë pasi nuk i njihja konkurrentët. Thashë të qëndroj sa më shumë brenda. Pika tjetër ishte që nëse do zgjasja më shumë, ishte të shkoja në një televizion. Kur normalisht e kalon edhe këtë fazë, synimi është 100 milionëshi që është pika e tretë. Pikën e parë dhe të dytën i fiton automatikisht me kohën që rri brenda dhe synon pikën e tretë. Dita-ditës edhe banorët shfaqnin në qëndrimet e tyre që unë isha më i miri, pavarësisht se mund ta teproja me gjërat që bëja. Po, nuk e mora çmimin, nuk është ndonjë gjë tani. E di që kam dalë i pastër dhe gjithë banorët aty brenda nga unë kanë marrë shumë. Jam i sigurt për këtë gjë.

Në përballjen me Liamin, ku ishit dy pole edhe pse më vonë doli Arbri si i tretë..

Është e vërtetë, me Liamin kam pasur gjithmonë debate, sepse secili ka pasur ambicien e vet. Ka qenë konkurrent i fortë.

Sipas teje, e meritoi fitoren Arbri?

Unë para se Arbri të futej, i kam thënë Liamit që nga ne të dy do përfitojë një i tretë.

A e meritoi fitoren?

E meritoi sepse u tregua më dinak, më inteligjent dhe veproi mirë, derisa u shkëput nga Liami dhe dha goditjen e vet.

Të ka penalizuar fakti i të mosqenit diplomat në shtëpi?

Po. Kjo më ka penalizuar. Nuk më pëlqente të bëja një lloj aleance me dikë, sepse kam egon time.

Në fakt kishe aleanca, kishe grupin tënd..

Nuk kam bërë strategji për të nxjerrë dhe për të sulmuar ndonjë banor. Kur kam sulmuar, e kam bërë vetëm.

Thonë që trimi i mirë me shokë shumë..

Absolutisht që po, por nuk më pëlqente sepse nëse do të gaboja do të doja ta merrja vetë përsipër. Kur krijon një grup, ai grupi do të ketë një kryetar. Me atë ego që kisha unë më mirë mos të bëhesha, se ata që kisha në grup do më kundërviheshin.

Preferoje të ishe vetëm?

Po dhe ashtu kam qenë gjatë gjithë kohës.

Françeska: Nuk më pëlqeu loja e Arbrit

Françeska, nuk pate asnjë shoqe në shtëpi. Pse kaq individualiste?

Jam përpjekur shumë të kem një shoqe aty brenda por nuk më janë përshtatur. Edhe në jetën jashtë unë nuk kam shumë shoqe, por jam më e tërhequr nga miqësitë me çunat. Kam pasur biseda me Grandiolën ose me Gerin.

Si mendon se duhet të kishe luajtur për të fituar 100 milionët?

Mendoj se duhet të kisha luajtur më shumë, sepse u fokusova më tepër tek të bërit qejf aty brenda. Realisht e kam shijuar nga dita e parë tek dita e fundit dhe nuk jam marrë shumë me detajet. Nuk kam luajtur fort, kjo është e gjitha.

Si u ndjeve kur erdhi babai në shtëpi dhe nuk të takoi ty po Ermalin?

Realisht kjo ka qenë pikëpyetja ime: Çfarë mendimi do ketë babai im për këtë lidhje? Më pëlqeu shumë reagimi që ai pati. Ishin emocione pozitive.

Fitoren, ti vazhdon të jesh e mendimit që e meritonte Ermali?

Po. Loja ishte midis Liamit dhe Ermalit. Nuk më pëlqeu loja që Arbri bëri, por nuk mund të mohohet që e bëri me zgjuarsi dhe inteligjencë. Mund të jenë edhe të tjerë ta bëjnë, po Arbri luajti bukur.

Mapo.al
Share on :
 
Copyright © 2015. Albania Skandal.
Design by Herdiansyah Hamzah. Published by Themes Paper. Powered by Blogger.
Creative Commons License