Një shoqe nga fshati

Kthimi në fshat pas Big Brother dhe reagimi i të afërmve dhe miqve. Historia e dashurisë me Rubensin, ndarja dhe familja që e pret në Greqi. Planet e Genta Gjalpit për ta lënë vendlindjen dhe për të ndërtuar një jetë në Tiranë. Jo domosdoshmërisht si e famshme.

Ishte parapërgatitur për të gjitha ditën e kthimit në fshat. Edhe pse e shkurtër, koha pas finales së “Big Brother” ishte e mjaftueshme që Genta Gjalpi të lexonte e dëgjonte të gjitha ç’ishin thënë për të gjatë ditëve të qëndrimit në shtëpi....
Kishte parë me sytë e saj fotot që ajo vetë i kishte harruar se i kishte bërë ndonjëherë, por që ndërkohë e kishin mbaruar xhiron e plotë në internet e shtyp, reagimin e prindërve për të shkuarën e saj, mërzinë, por edhe tërheqjen e tyre përballë shokimit të së bijës. Kishte kuptuar efektin që shkaktonin në publik ato 100 ditë të mbyllura nën survejimin e kamerave, përballjes me të panjohurit kur dilte në rrugë, reagimin e tyre në tentativë për t’i dhënë zemër e përkrahur. Në këto kushte dita e kthimit në fshat mund të fshihte surpriza nga më të papriturat. Gjithçka varej se si i kishin pritur gjyshërit, ata me të cilët ndante jetën këto 13 vjet, ndodhitë e jetës së saj përgjatë këtyre muajve, të afërmit, fqinjët, shoqëria dhe i gjithë rrethi i vogël i të njohurve në Baban të Bilishtit.

Pas disa ditësh të kaluara me prindërit dhe të vëllain në Tiranë, furgoni i linjës më në fund kishte marrë drejtimin e kthimit në shtëpi, për ta vënë përballë një panorame që vështirë se e kishte imagjinuar. Të parat që i uruan mirëseardhjen ishin shoqes e gjyshes e më pas të afërmit. Në Baban, siç mund të merret me mend, Genta, e renditur e treta në këtë edicion të “Big Brother Albania”, ishte më e famshmja e fshatit dhe ndryshe nga sa e kishte menduar ajo, të vjetrit as i ranë në sy, as ia përmendën dhe as e paragjykuan për gjë. Përkundrazi e uruan për sa kishte bërë dhe i dhanë zemër e këshilla për më vonë. Në shtëpi nuk u fol as për foto, as për ish të dashurin, as për atë tjetrin që gazetat shkruanin se kishte pasur me të një lidhje në të njëjtën kohë, as për çmimin e shpëtuar nga dora në minutën e fundit dhe as për kritika të ashpra të tipit “pse nuk na ke thënë”. Vetëm se në të kundërt me këto, moshatarët e saj duket se kishin tjetër mendim. Publikimi i detajeve të jetës së saj personale nuk ishte mirëpritur edhe aq nga të njohurit e Gentës, e cila e gjendur përballë habisë për reagimin e papritur të me të vjetërve duket se e kaluar me lehtë këtë fakt. “Megjithatë e kuptova nga mënyra se si më takonin. Moshatarët e mi ishin më skeptikë ndaj meje, më të ftohtë”.

Kështu thotë 21 vjeçarja me dialektin pikant, ndërsa mundohet të administrojë dy aparate celulari që i bien pa pushim. Këtë e ka kthimin e parë në Tiranë pas përfundimit të reality show-t, përgjatë të cilit mund të ishte një prej kandidateve për fituese. Do të qëndrojë fare pak në Tiranë dhe shumë shpejt do të niset drejt prindërve në Greqi. Verën do ta kalojë andej dhe ndërkohë që po mendon të mbledhë ca para që ti ketë mënjanë, shtatori programin ta gjejë sërish këtu. Me Babanin, Bilishtin dhe Korçën i ka mbyllur hesapet një herë e mirë. “Vend i vogël dhe shumë i mbyllur. Pastaj Korça nuk më kujton gjëra të mira”, thotë Genta. Në të parin ka lindur, në Bilisht ka përfunduar shkollën e mesme, ndërsa në Korçë tre vjeçarin e shkollës së lartë në degën anglisht. Prej andej ka nisur edhe ajo historia e famshme e saj e dashurisë për të cilën u përfol gjatë kohës kur ishte në Big Brother. Një lidhje që Genta e përshkruan si një rrugëtim të gjatë 6 vjeçar, në fillim i lumtur e më pas një “makth ndarje-bashkimesh, kërcënimesh dhe dhune”.

“Jam e gëzuar që Rubensi hoqi dorë nga unë”, shton Genta si për të përforcuar bilancet e kësaj pjesëmarrjeje në spektaklin e njohur. Edhe pse 100 milionët i shpëtuan nga dora, nga ky Big Brother Genta tregon se ka marrë pikërisht atë çka i duhej: ndarja përfundimtare nga e shkuara, ka fituar famë dhe tani po hap lojën për të kërkuar punë. Nuk i kanë bërë ndonjëherë ofertë për t’u anëtarësuar në ndonjë parti, siç është shkruar, por nuk do t’i vinte keq sikur e majta t’i propozonte diçka. Deri tani ka marrë disa oferta për punë, por asnjëra nuk i duket e përshtatshme ndaj me këtë rast, ish-lojtarja thotë se është e hapur për të pranuar e marrë në kosideratë çfarëdo që ti propozohet. “Ndryshe nga të tjerët, nuk i kam sytë domosdoshmërisht tek televizioni dhe spektaklet”, thotë ajo. “As nuk pretendoj. Dëshiroj të kem një punë dhe të ndërtoj një jetë këtu”.

Kjo është fitorja më e madhe e Gentës nga loja në Big Brother dhe prej saj, vajza që në këtë edicion u identifikua si pa tabu, nga ato që ngrenë krye ndaj opinionit konservator të vendit prej nga vijnë dhe që mundohen të ndërtojnë me çdo kusht një jetë falë vullnetit të lirë, i ka bërë planet të përfitojë sa të mundet. E ka të qartë se fati i një fame të tillë nuk është lehtësisht i parashikueshëm. Ka ndodhur që fitues dhe lojtarë që e kanë mbajtur publikun me sytë nga vetja me javë të tëra të harrohen shpejt pas përfundimit të lojës dhe kjo nuk është aspak çudi. Një fat të tillë rrezikon edhe ajo sepse menjëherë pas spektaklit u kthye në vendlindje, meqë në Tiranë nuk ka një bazë ku të vendoset për të jetuar, ndaj dhe planet i ka të shkurtra në kohë dhe me dëshirën për t’i realizuar shpejt. “Tani që jam këtu do të takohem me Flor Mumajesin. Mund të më pranojë si bashkëpunëtore për të shkruar tekste këngësh”, thotë, pasi ka siguruar se thur vargje të bukura poezish. I kanë bërë një ofertë të mirë pune edhe në Korçë, por atë nuk ka në plan ta pranojë meqë kthimin nuk e mendon më. “Pas disa javë pushimesh tek tezja në Mikonos do të vendosem në Tiranë. Duhet të rifilloj edhe studimet, të përfundoj masterin dhe për të gjitha këto shpresoj shumë që të dalin njerëz që të pranojnë të më ndihmojnë”.

Kështu pra, pa një adresë të saktë ku mund të trokasë, vetëm me një ofertë pune nga një kompani telefonike në kryeqytet, këto plane bën Genta Gjalpi, e cila betohet se kthimin pas nuk e mendon më. Dikur, 13 vjet të shkuara, kur prindërit e saj u larguan në Greqi për të punuar, Genta zgjodhi (bashkë me bekimin e prindërve), të qëndronte në shtëpi. Të vetët jetojnë fare pranë kufirit dhe pothuaj çdo javë takohen, kështu që ajo mund të kujdesej për gjyshërit dhe të përfundonte shkollën. “Sipas planit do të shkoja atje sapo të diplomohesha”, thotë ajo. Por përfundimet e studimeve master u shtynë meqë gjyshi i saj kaloi paralizë dhe Genta e la shkollën për të ndenjur më gjatë në shtëpi. Pastaj në Baban kishte edhe një arsye tjetër të mjaftueshme për ta mbajtur: Quhej Rubens, një vit më i madh se ajo, të lidhur qysh nga koha e gjimnazit në Bilisht.

“Kjo lidhje zgjati gjashtë vjet, por kohët e fundit nuk kanë qenë aspak të qeta. As vetë nuk di ta shpjegoj apo t’i tregoj se si kanë kaluar. Ziheshim shpesh, ndaheshim, pastaj pa e kuptuar fare pajtoheshim përsëri. Gjatë kësaj kohe Rubensi më ka mbajtur lidhur pas tij me kërcënime dhe dhunë”, thotë ndërsa tregon si dëshmi të atyre kohrave një shenjë në ballë. “Në vendin prej nga vij unë xhelozi do të thotë dashuri, nëse i dashuri yt është xheloz kjo lexohet si shenjë e një dashurie të madhe. Por tani kam zënë mend dhe e di se nuk është aspak kështu”.

Me llogaritë e saj, Genta i ka dhënë fund asaj historie, madje është e kënaqur sepse gjatë këtyre ditëve që ishte në Baban është përballur një herë me Rubensin dhe ai nuk i ka folur. As ajo. Kjo për Gentën nënkupton se më në fund ajo histori është mbyllur, pavarësisht se vështirë të ndahet prej kujtimeve të saj qoftë edhe me një vendim të tillë. Dhe jo vetëm prej shenjës që ka në ballë dhe që e tregon si kujtim nga Rubensi. Sidomos është ajo historia e fotove të saj personale, të dala nga rrjetet sociale në internet, të publikuara në shtyp, autori i të cilave ishte pikërisht ish i dashuri i Gentës. Vetëm se versioni i saj është krejt i ndryshëm nga ai që Rubensi pat dhënë në intervistat e kohës kur Genta ishte e mbyllur në shtëpinë e Vëllait të Madh. Sipas saj, në rastin e tyre nuk bëhet fjalë për viktima të teknologjisë, pra për informacione personale, qofshin edhe foto, të hedhura pa e menduar gjatë on line dhe që një ditë të bukur u zbuluan dhe u botuan. “Ato foto janë bërë në janar ose shkurt të 2011. Ishin kot sa për qejf, madje në njërën prej tyre, atë ku mbaj veshur body-n e zi, e kam bërë vetë sepse ishte dhuratë e Rubensit dhe ai donte t’ia dërgoja me email që ta shikonte si më rrinte. Ato foto nuk janë bërë ndonjëherë me qëllimin për t’i hedhur në internet. Po ta dija nuk do të pranoja kurrë. Rubensi ka qenë i fiksuar pas internetit dhe të gjitha këto janë marifetet e tij. Kur u ndamë para një viti më tha se i kishte fshirë, prandaj dhe unë nuk e kisha shumë të qartë se për çfarë fotosh bëhej fjalë, kur ai më tha se ishin botuar, kur më takoi në një nga netët e spektaklit. I kisha harruar fare ato foto, i kam parë vetëm pasi dola nga shtëpia. Ai i përdori për t’u hakmarrë ndaj meje dhe më bëri keq. Kam edhe unë plot gjëra për të për nuk kam ndër mend t’ia publikoj sepse nuk jam si ai. Për mua rëndësi ka që familja ime tani është në dijeni të gjithçkaje, që më ka përkrahur dhe mbështetur që ditën që kam hyrë në spektakël e deri sot”. Sepse, siç tregon Genta, për shkak të familjes nuk ka pranuar kurrë të ngrejë zërin e të ndahet nga Rubensi. “Ata e dinin që unë isha njohur me Rubensin në kohën e gjimnazit, por e dinin histori të mbyllur. Ai më kërcënonte se do t’u tregonte gjithçka rreth nesh ndaj dhe unë stepesha”.

Çka do të thotë se ato foto, por edhe krejt historia me Rubensin ka qenë një rrufe në qiell të pastër për prindërit e Gentës. Aq më tepër edhe fjalët e tjera që u shkruan për një lidhje të saj me Melsonin, një tjetër djalë nga Tirana, lidhja me të cilin sipas tabloidëve kishte ndodhur në të njëjtën kohë me atë të Rubensit. “Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ai është një shok dhe asgjë më tepër, të gjitha janë sajesa”, shton Genta. Pra thashetheme shumë më të thjeshta për t’ua shpjeguar prindërve përballë faktit të kryer nga publikimi i fotove dhe intervistat e Rubensit në shtyp. “Familja ime më ka mbështetur, por megjithatë janë ende shumë të mërzitur për këto që kanë ndodhur”, thotë Genta, duke shpjeguar se pavaërisht kësaj asnjë tërmet nuk është shënuar në marrëdhënien mes saj dhe prindërve. Thënë ndryshe nuk ka ndodhur ende që Genta të ulet përballë tyre e të japë llogari për ato që ka bërë dhe për çfarë ka mbajtur sekret. “Kur dola nga shtëpia duhej të ndodhte në fakt, por ata e panë se sa e stresuar isha. Nuk isha në gjendje të duroja një shpërthim në familje. Besoj ndodh me të gjithë ata që e kalojnë një eksperiencë të tillë. Ngaqë je gjithë kohën i mbikqyrur nga kamerat, je brenda një loje dhe duhet të luash, mund të të sulmojnë dhe duhet të sulmosh, edhe kur del jashtë ende e ndien efektin e asaj jete. Kështu ditët e para në shtëpi mjaftonte një fjalë e tyre që unë të shpërtheja. Duke më parë kështu e kemi lënë për më vonë. Më kanë këshilluar që të bëj kujdes në të ardhmen, të krijoj një lidhje të qëndrueshme dhe më kanë siguruar se mbështetjen e tyre do ta kem gjithmonë”.

Do të takohet sërish me prindërit brenda pak ditësh. Tani Genta është qetësuar krahasuar me ditët e pas daljes nga shtëpia e Big Brother-it, e ndoshta kjo do të thotë se ajo bisedë e shtyrë mes tyre do të bëhet, por situata tanimë është e ndryshme.
“Eksperienca brenda shtëpisë së Vëllait të Madh është e pakrahasueshme me diçka tjetër. Unë që në fillim e mora më lehtë nga të tjerët, nuk bëra plane dhe nuk zgjohesha në mëngjes me idenë se çfarë do them e çfarë do të bëj sot. Por e sigurta është se kur je brenda, konflikti me ata që bashkëjeton është shumë i lehtë. Kjo shpjegon marrëdhënien mes lojtarëve. Kam luajtur dhe jam shfaqur siç jam në të vërtetë”, thotë duke shtuar se mbase nuk është edhe aq pa tabu siç e kanë përshkruar, por sidoqoftë në vendin e saj të origjinës ka dalluar nga moshatarët e vet. Modeli i flokëve, veshjet, muzika e preferuar, qoftë edhe historia e hershme e dashurisë e kanë bërë paksa të ndryshme nga sa mentaliteti atje mund ta pranojë. Kështu ka qenë gjithmonë dhe vështirë të ketë ndryshuar diçka edhe pse në kthim Gentën e pritën e me krahë hapur dhe sidomos të afërmit, atyre që u druhej më shumë, nuk i dhanë ndonjë shenjë maospranimi. Megjithatë nuk do të kthehet për ta vazhduar aty ku e ka lënë. Tirana i ka hapur sytë dhe ndezur shpresën se mund të jetohet edhe ndryshe; Big Brotheri i dha një dorë për t’i dhënë fund asaj historie që ajo vetë nuk ia jepte dot dhe fama që po shijon këto kohë mundësinë për të marrë një ofertë pune. Një të tillë dhe disa para mënjanë për të marrë një shtëpi me qera i duhet, të tjerat Genta Gjalpi thotë se do t’i sistemojë me kalimin e kohës.  Revista Klan


Share on :
 
Copyright © 2015. Albania Skandal.
Design by Herdiansyah Hamzah. Published by Themes Paper. Powered by Blogger.
Creative Commons License