Fatos Nano behet gjysh,e bija lind djalë ne Paris

Fatos Nano që prej dy ditësh është bërë gjysh. Familja e tij është shtuar me një djalë. Vajza e Fatos Nanos, Edlira, lindi fëmijën e parë, i cili është djalë, Antoine. Edlira, vajza e ardhur nga martesa e parë e Nanos me ish-bashkëshorten Rexhina, jeton në Paris dhe punon në INRA, Institutin Kombëtar të Kërkimeve të Agrikulturës, si menaxhere projektesh. Ajo është e martuar me Dimitri Arra, doktor në shkencat matematikore. I kontaktuar në telefon, Fatos Nano tha për “Panorama” se me lindjen e nipit ka marrë lajmin më të bukur të jetës së tij. Duket se lajmi i ardhur në familjen Nano, e cila u shtua me një djalë, ka bërë që vetë Nano t’i shohë gjërat ndryshe. “Lajmi më rinon, ndjehem si i ri dhe më ka mbushur plot me energji”, tha Nano për gazetën “Panorama”. Edlira ka lindur djalin e parë të saj në 15 qershor në një klinikë në paris në orën 03:07 me një peshë 3.180 kg. Sipas Nanos, lindja e nipit ka ardhur në një moment shumë të veçantë të aktivitetit të tij, edhe politik. “Ardhja në jetë e nipit tim Antoine përkon dhe me nisjen e lëvizjes së re në Partinë Socialiste, rilindjen dhe
ringritjen e partisë që e rrita dhe më rriti. Kjo më mbush me energji të reja për sfida të reja”, tha mbrëmë vonë Fatos Nano për gazetën.
Fatos Nano
Ish-kreu socialist Fatos Nano ka nisur një lëvizje brenda PS për të zëvendësuar kreun socialist nga drejtimi i Partisë Socialiste. “Lëvizja Nano për fitoren e socialistëve”, së cilës po i bashkohen çdo ditë ish-deputetë, kryetarë komunash e bashkish dhe drejtues socialistë të degëve socialiste në të gjithë vendin, synon rikthimin e socialistëve në qeverisje. Kjo lëvizje po ngre strukturat e saj përmes koordinatorëve në të gjithë vendin, nga ku priten të mblidhen firmat e anëtarësisë për një mocion besimi të kryetarit Rama në krye të PS. Nano ka kritikuar mënyrën se si po e drejton Partinë Socialiste Edi Rama, i cili, sipas tij, nuk di që ta bëjë atë fituese të zgjedhjeve të ardhshme. “Fatos Nano i sjell në vëmendje kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik të PS, Edi Rama, se Nano ka qenë për 15 vite kryetar i PS e sot është aktualisht anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS. Askush nuk mundet t’i mohojë, të deformojë apo zhbëjë historinë dhe vlerat më të mira ndër vite të PS bashkë me Fatos Nanon. Askush nuk mundet ta nxjerrë Fatos Nanon jashtë PS. Historia e Fatos Nanos me PS është histori fituese”, thuhet në një nga njoftimet e shpërndara të “Lëvizjes Nano për fitoren e socialistëve”.

ARISTIR LUMEZI
Panorama
Share on :
 
Copyright © 2015. Albania Skandal.
Design by Herdiansyah Hamzah. Published by Themes Paper. Powered by Blogger.
Creative Commons License