Banorët e “Big Brother” një muaj më pas

Një muaj pas përfundimit të spektalit më të madh të bazuar në jetën reale në Shqipëri, publiku shqiptar është kurioz për atë që ka ndodhur në këtë periudhë me idhujt e tyre.

Emisioni i “Pasdites” në “Top-Channel” i dha përgjigje pyetjeve të ngritura rreth Liamit e Ermalit, të ftuar në studio dhe Françeskës, në lidhje direkte nga Vlora.


I pari që mori fjalën ishte Ermali, i cili pasi tregoi se është takuar vazhdimisht me Liamin, tregoi se ende nuk ka rinisur jetën me intensitetin e plotë. “Jam përqendruar vetëm tek shkolla, kam pasur pesë provime për të dhënë dhe kam përfunduar tre. E vërteta është se më kanë mbajtur pak me hatër, por nuk kam nisur ende të bëj plane për të ardhmen. Si kam ndërmend ta shfrytëzoj
famën? Nuk ka qenë fama ajo që synoja kur u futa në “Big Brother”, por të fitoja, diçka që për disa arsye nuk e realizova dot”.
Në lidhje me planet e së ardhmes Ermali shpjegoi: “Për momentin objektivi është shkolla, por ndërkohë po realizoj një plan për në shtator, që lidhet me politikën dhe gazetarinë. Mbase mund të shndërrohem në prezantues. Nuk e di ende se në çfarë televizioni, shpresoj “Top-Channel”, por të shohim”.
Përsa i përket Liamit, ai në këtë periudhë i është kushtuar profesionit të tij, atij të “dee jay”, duke luajtur në disa klube të ndryshme anembanë Shqipërisë.
“Unë luaj techno e house, rryma jo shumë të preferuara në Shqipëri, por njerëz ka pasur dhe shpresoj që jo prej meje, pasi nuk mendoj se fama im do të zgjasë përjetësisht. Madje herën e dytë, njerëzit s’kanë për t’u bërë më kuriozë, pasi figura ime do të jetë e konsumuar”.
Aktualisht, Liam po merret me një projekt të rëndësishëm, një projekt bamirësie. “Evenimenti i bamirësisë do të zhvillohet tek lokali i Dritanit. Duke u kthyer nga Struga, pashë një plakë, grua shtatzanë duke shitur fiq. Më erdhi keq dhe kështu më dha shtysë që të realizoja një dëshirë afatgjatë, atë të pjesëmarrjes në nisma të tilla. Të gjitha fondet që do të grumbullojmë, do t’i dërgojmë në ndihmë të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Shpresoj që të gjithë anëtarët e “Big Brother” të bëhen bashkë dhe të japin një mesazh të gjithë popullit shqiptar”.
Nga ana e saj, Françeska, e cila shpjegoi se ka marrë pjesë në disa aktivitete të realizuara në qytetin e saj, por është në pritje të ofertave serioze, komentoi edhe spekulimet në gazeta, për një krizë në lidhjen e saj me Ermalin, pasi nuk kanë vendosur të jetojnë bashkë. “Ne kemi patur një lidhje normale dhe vazhdojmë ta kemi, por bashkëjetesa është shumë e hershme. Kemi vetëm dy muaj bashkë, s’kemi të ardhura ekonomike të mjaftueshme dhe jemi akoma tepër të rinj, prandaj për momentin nuk kemi planifikuar asgjë”.
Edhe Ermali u përputh me këtë ide, ndërsa shtoi se marrëdhënia e tyre jashtë shtëpisë shkon edhe më mirë, pasi duke jetuar larg kanë më pak kohë për t’u zënë mes tyre.
Në fund, ndërsa lëshoi edhe një herë thirrje për pjesëmarrje të gjerë në aktivitetin e bamirësisë, Liami hodhi poshtë spekulimet për probleme në lidhjen e tij me Evelinën, e cila është rikthyer në Gjermani për çështje shkolle.

Share on :
 
Copyright © 2015. Albania Skandal.
Design by Herdiansyah Hamzah. Published by Themes Paper. Powered by Blogger.
Creative Commons License