Në një kohë kur perceptimi i publikut për abuzimin e zyrtarëve është në majat e tij, menaxherët e shërbimeve publike interesohen se si të bëjnë biznes me paratë e shqiptarëve në kurriz të tyre.
Posta Shqiptare e cila është shndërruar në një degë biznesi të partisë që emëroi drejtuesin e saj, të jep impresionin e lundrimit në përfitimet e paligjshme apo të pandershme. Mekanizmat që përdoren në këtë strukturë me realitetin tregojnë se plani i të ardhurave personale është më primar se shërbimet që ofrohen.
Posta Shqiptare mënjëherë me ndryshimin e manaxhimit mori një nismë për rritjen e tarifave të shërbimit. Nga 50 Lek që ishin tarifat e shërbimeve postare për dërgimin e pensioneve në shtëpitë e pensionistëve, ato u rritën në 100 Lek. Ndërsa marrja e pensioneve në kioskat e Postës u bë 50 Lek. Cilat janë tarifat e vërteta, dhe analizat ekonomike të cilat dëshmojnë se çmimi është rritur për të mbuluar humbjet e kompanisë në sektorë të tjerë të shërbimeve, sic janë kursi i këmbimit valuator, vjedhjet e kolive, si në peshë ashtu edhe në sasi, etj.
Një analizë e tillë jo vetëm që nuk është bërë publike, por është një tregues se Posta Shqiptare operon me dy bilance (një real dhe një zyrtar), duke fshehur jo vetëm transparencën por edhe “gjurmët e krimit” që është shprehja e pëlqyer e hetuesve. Një nga treguesit e rritjes së çmimit nuk ka gjetur aplikim në realitet, të paktën nuk dihet se si shfaqet në letrat e Postës, është mungesa e investimeve në zyrat e postës ku ofrohet shërbimi i parë me qytetarët dhe që ka qënë një nga kriteret e rritjes së tarifave. Një tjetër tregues është cilësia e shërbimit të ofruar, si dhe ekspozimi i hapur ndaj rriskut të kursit të këmbimit valuator.
Posta Shqiptare ka filluar së fundmi një bashkëpunim me një subjekt financiar jo bankar, siç është fondi Besa, për të ofruar intershipe për të rinjtë si dhe bashkëpunime të një karakteri të ndryshëm nga çfarë ofron vetë Posta Shqiptare. Në të vërtetë ofrimi i intershipeve për të rinjtë ishte një premtim i LSI-së gjatë fushatës së vitit 2013, dhe nuk kuptohet në pamje të parë se çfarë e lidh Fondin Besa në këtë bashkëpunim me Posta Shqiptare sh.a, që sipas ligjit “Për shoqëritë e kursim kreditit” ose mblidhen në formë unioni, që nuk është rasti për këto shoqëri, ose veprojnë në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra.
Janë të shumta pyetjet që lindin për këtë bashkëpunim, ndoshta përgjigjet e ditëve në vijim që do të publikohen në gazetën “Boom.al”, mund të na çojnë drejt zbardhjes së hijeve të skandalit në Posta Shqiptare. Deri më tani Posta Shqiptare sh.a nuk ka treguar aspak transparencë për transaksionet e pensioneve nëpërmjet bankave të nivelit të dytë për pensionistët dhe nëse ka ndjekur ose jo rregullat për kontraktimin e këtij shërbimi sipas legjislacionit në fuqi, dhe se cfarë e lidhin interest financiarë të këtyre transaksioneve me favorizimet që u bëjnë konkurrentët e saj në tregun financiar jo-bankar.