Big Basta: “Ermali dhe Dr. Flori kanë fyer tironsit”

Kantautori i njohur kritikon kolegët për këngën “Ku ka si Tirona”


I këndon Tiranës me dashuri dhe fanatizëm, ndaj në çdo rast do të ndihej i ofenduar nëse një artist tjetër do të ironizonte këtë qytet të madh. Big Basta në “Big City studio’s” shumë këngë ia dedikon këtij metropoli. Në këtë intervistë ai flet për shijen aspak të mirë që i ka lënë klipi i ri “Ku ka si Tirona”, nga Ermal Mamaqi dhe Dr. Flori, si dhe atmosfera që pritet të krijojnë në radiot dhe clube-t e Tiranës, këngët e albumit të tij më të ri “Radio & Club (R&C)”.


Së fundi ke publikuar klipin tënd më të ri me titull “Sot jam vonë”. Në klip shfaqesh si personazh i veçantë i këtij qyteti me një mision të caktuar. Çfarë ke dashur të thuash me këngën tënde?


Është e vërtetë që kemi lançuar me klip singëllin e parë me titull “Sot jam vonë”, pjesë e albumit tim më të ri “Radio & Club”. Klipi është xhiruar tërësisht në Tiranë dhe nuk ka asgjë tjetër, veç skena reale, drejtpërdrejt nga metropoli. Në këtë videoklip unë jam munduar të nxjerr qytetin ku jetoj, ashtu siç e shohin sytë e mi, si edhe ata të atyre që më rrethojnë...
Ndoshta krijohet mendimi se unë kam dalë si një person i veçantë ngaqë në këtë klip ka shumë aksion, duke përfshirë helikopter, taksi, makina etj., por ideja ishte të tregonim Tiranën nga kënde të ndryshme për të nxjerrë një pamje të plotë të ambientit nga lart, si edhe nga thellësia e qytetit.


Ti tashmë je specifikuar si artisti që i këndon shpesh Tiranës. Cila është Tirana që ti kërkon të kesh në fabulat e këngëve të tua?


Shpesh ma kanë thënë këtë, ndonëse ne i kemi kënduar edhe futbollit edhe shqiptarëve kudo ku janë, apo dhe femrave (qesh). Ndoshta është e vërtetë që flasim shpesh për qytetin e madh në këngët e mia. Por në këto këngë ka shumë realitet dhe të vërteta, kështu që edhe Tirona normalisht është pjesë shumë e madhe e jetës sime artistike dhe më gjerë. Tiranës i kam kënduar dhe i këndoj në mënyra të ndryshme. Nganjëherë në tekstet e këngëve tregojmë qytetin e bukur, me rrugë të gjona me drita, makina luksoze, biçikleta, njerëz të qeshur, nota muzike, me festivale dhe evente të mëdha, dhe nganjëherë prekim tematika sociale, ku dhe fansat mund të reflektojnë sadopak dhe së bashku të bëjmë ndryshimet e duhura për të mirën e përbashkët, për një bashkëjetesë me të qetë dhe më të bukur.


Ndërkohë është publikuar një tjetër këngë për Tiranën nga Dr. Flori dhe Ermal Mamaqi. Si do ta komentoje këtë këngë, çfarë s’të ka pëlqyer?


Me Ermalin jemi miq dhe duke e njohur, jam i bindur që nuk ka qenë qëllimi i tij për t’u tallur me qytetin e Tiranës apo me qytetarët e këtij vendi, për më tepër që ai nuk ka bërë as këngën e as tekstin, por vetëm interpreton me humorin e tij të spikatur, siç ka bërë edhe herë të tjera. E ka profesion humorin dhe nuk ia merr dot për ters. Po ai Doktori nuk e kuptoj çfarë kërkon të tregojë me qershi te veshi?! Ndoshta e ka marrë me qejf të madh estradën dhe shpreson të bëhet pjesë e ndonjë show për të qeshur…. I uroj fat! Kam përshtypjen që janë munduar të gjejnë diçka që do të sjellë më shumë dasma, pasi dihet që “Naploni” është ndoshta kënga më e kërcyer nëpër eventet shqip kudo në botë. I vetmi problem që unë kam, është që shumë artistë po mundohen të gjejnë çfarë kërkon tregu duke shfrytëzuar dhe duke bastarduar muzikën e pastër shqiptare, tradita apo imazhe të krijuara me mund gjatë gjeneratave. Kjo po ndodh me muzikën popullore shqiptare, si edhe me muzikën qytetare shqiptare. Për sa i përket Tironës, nuk besoj që është një qytet aq i zbehtë e me njerëz të mefshtë sa në klipin e tyre, përkundrazi është kryeqyteti i Shqipërisë, qyteti shqipfolës me më shumë banorë në botë, dhe kryeqyteti botëror i fesë bektashiane, aty ku të gjithë ulen së bashku për të ngrënë një lugë hashure, pa dallim intelekti, ngjyre, besimi apo frymëzimi. Tirana është e të gjithëve, ashtu si edhe Prishtina, Ulqini apo Tetova. Qyteti tashmë numëron afro një milion banorë..

Thuhet se ti i këndon Tiranës si do të dëshiroje të ishte, ndërsa Ermali dhe Flori i këndojnë asaj siç është. Pra, në këtë rast ti quhesh “idealisti”, ndërsa ata “realistët”. Ç’mendon për këtë opinion të krijuar?


Kush e ka krijuar këtë opinion?! Haha, vërtet ka njerëz që mendojnë se Tirana është në atë gjendje?! Se unë nuk mendoj kështu. Unë i këndoj Tiranës ashtu siç është, Big City është qyteti i mundësive, aty ku shihen edhe ndeshjet e NBA me përkthim shqip direkt nga lokale shumë luksoze. Tirana ka disko shumë të bukura, blloku është full me kafe tepër interesante, kombëtarja luan ndeshje dhe na dhuron shumë momente të bukura, kemi qendra tregtare, pishina, teleferik, paketa dixhitale, kanale HD, shkolla të kualifikuara, futbolli luhet në fusha me bar, është viti 2012 dhe nuk ka më qershi, por palma!
Share on :
 
Copyright © 2015. Albania Skandal.
Design by Herdiansyah Hamzah. Published by Themes Paper. Powered by Blogger.
Creative Commons License